Trepça ka shënuar fitore ndaj Rahovecit me shifrat 95:87 (24:28, 19:21, 30:21, 22:17), në xhiron e dhjetë të Prince Caffe Superligës.
Mitrovicasit kanë gjashtë fitore e tri humbje, ndërsa rahovecasit një fitore e nëntë humbje radhazi.
Çereku i parë ishte kryesisht e barabartë, por në fund me një seri prej 0:6, e fituan këtë pjesë 24:28.
Vreshtarët vazhduan me lojë të mirë dhe sërish me një seri prej 0:8 krijuan epërsinë më të lartë, 12 pikë, 24:36, por më pas vendasit u këndellën, duke ngushtuar epërsinë, ndërsa skuadrat shkuan në pushim me shifrat 43:49.
‘Xehetarët’ vazhduan me lojë edhe në pjesën e dytë, ku në periodën e tretë barazuan shifrat dhe kaluan në epërsi 64:60, ndërsa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 73:70.
Fituesit e Kupës së Kosovës thelluan epërsinë edhe më shumë në dhjetë minutat e fundit, ku më e larta ishte 15 pikë, 93:78, ndërsa përkundër përpjekjeve të mysafirëve, Trepça në fund fitoi 95:87.
Te Trepça u dalluan Erjon Kastrati me 26 pikë e nëntë kërcime dhe Drilon Hajrizi me 22 pikë e tetë kërcime, ndërsa te Rahoveci u dalluan Jahi Carson me 24 pikë e tetë asistime dhe Chris Seeley me 17 pikë e 16 kërcime.