Site icon Telegrafi

Trepça me probleme të mëdha financiare

Klubet e basketbollit në gjendje të rëndë. Duket se shumica e klubeve kanë probleme financiare dhe iu kanë vonuar pagat lojtarëve. Një gjë e tillë po ndodh edhe në skuadrën mitrovicase, Trepça. ‘Xehetarët’ kanë pasur probleme edhe sezonin e kaluar, duke mos arritur të hynë as në ‘play-off’, derisa njëri nga problemet më të mëdha është palestra ‘Minatori’ që ende është duke u rinovuar dhe nuk po mund t’i zhvillojnë ndeshjet si vendas në Mitrovicë.

Në burim në klubin e Trepçës ka bërë të ditur se pesë muaj janë prapa me paga. “Që pesë muaj nuk jemi paguar. Në skuadrën e Trepçës dëshpërimi është i madh. Lojtarët janë të dëshpëruar. Gjendja në skuadër është shumë e rëndë. Pesë muaj nuk janë paguar lojtarët dhe normalisht se nuk mund të pritet më shumë nga kjo skuadër. Gjithashtu problemet me palestër e stërvitje ka bërë që Trepça të jetë në gjendje të rëndë”, ka thënë ky burim për ‘Sport Plus’.

Probleme me pagat

Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit të Trepçës, Naim Hajrizi, ka pranuar se kanë probleme financiare, por duke mos saktësuar sa muaj nuk janë paguar lojtarët. “Si shumica e klubeve edhe ne kemi probleme financiare. Ne gjithmonë kemi pasur mirëkuptimin e lojtarëve vendorë dhe besoj se kjo do të vazhdojë. Nuk e di saktësisht sa muaj jemi prapa, por edhe ne kemi pasur vonesa të pagave. Jemi duke pritur ndihmën nga Komuna e Mitrovicës e sponsorët tjerë”, ka thënë Hajrizi për gazetën tonë. Në ndeshjen e fundit me Kastriotin nuk u paraqit qendra spanjolle, Jan Orfila, pikërisht për shkak të këtyre problemeve. Trepça momentalisht renditet në vendin e tretë me 23 pikë.

Një përforcim nga Mali i Zi

Edhe pse kanë probleme financiare, Trepça, ka arritur marrëveshje me një qendër nga Mali i Zi, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, derisa janë duke pritur ndihmën nga Komuna e Mitrovicës. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version