Site icon Telegrafi

Trepça kampion i Kosovës në basketboll

Mitrovicasit konsideroheshin favoritë duke pasur parasysh disfatën në sekondën e fundit në ndeshjen e tretë të luajtur në Prishtinë (56-54) dhe dy fitoret e lehta në Mitrovicë (80-74 dhe 81-66).

Dy rivalët e përbetuar e filluan ndeshjen e pestë dhe vendimtare me rezultat të barabartë prej 2-2 nga seria finale, pasi të dy ekipet kishin shënuar nga dy fitore në terren vendas, ndërsa ishin mposhtur si mysafirë.

Nikoqirët vetëm në çerekun e parë dominuan duke e përmbyllur në favorin e tyre, ndërsa vazhdimi i takimit u takoi krejtësisht mysafirëve, të cilët me lojë të shpejtë dhe me precizitet për tri pikë ia dolën ta mbajnë lojën në kontroll dhe të krijojnë në vazhdimësi epërsi ndaj rivalit.

Kur pritej që vendasit të kthehen në lojë, mysafirët nuk lejuan befasi dhe e përfunduan takimin me 12 pikë diferencë – dhe kështu Trepça u shpall kampion i Kosovës pikërisht në Prishtinë.

Në radhët e vendasve u dalluan kapiteni Edmond Azemi me 11 pikë dhe Granit Rugova e Alban Veseli me nga 10 pikë. Ndërsa te mysafirët më efikasi ishte Drilon Hajrizi me 26 pikë dhe Besnik Azemi me 17 pikë.

Rezultatet në pesë përballjet:

Ndeshja e parë (23/24.05.2012)
Sigal Prishtina – Trepça (84 : 54) (1 – 0)

Ndeshja e dytë (26/27.05.2012)
Trepça – Sigal Prishtina (80 : 74 ) (1 – 1)

Ndeshja e tretë (30/31.05.2012)
Sigal Prishtina – Trepça 56 : 54 (2 – 1)

Ndeshja e katërt (02/03.06.2012)
Trepça – Sigal Prishtina 81 : 66 (2 – 2)

Ndeshja e pestë (06/07.06.2012)
Sigal Prishtina – Trepça 79 : 67 (2 – 3)

Edhe Sigal Prishtina edhe Trepça u kualifikuan drejtpërdrejtë në gjysmëfinale, ku kryeqytetasit eliminuan Bashkimin, ndërsa mitrovicasit ishin më të fortë se Peja.

Trepça në këtë edicion fitoi kurorën e dyfishtë – titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës duke i dhënë fund dominimit të Sigal Prishtinës. /Telegrafi/

Exit mobile version