Njëra nga skuadrat që ende nuk i ka filluar stërvitjet për sezonin e ri është Trepça nga Mitrovica. ‘Xehetarët’ ende nuk i kanë ‘eliminuar’ problemet e vitit të kaluar. Rinovimi i palestrës ‘Minatori’ iu solli shumë probleme, duke pasur probleme me pagesa dhe duke u përballur me shumë probleme tjera. Pagesat ndaj basketbollistëve nuk janë fshirë. E, këtë problem mitrovicasit duhet të zgjidhin para se të fillojë edicioni i ri.
Safet Mustafa thotë se i kanë borxh katër muaj dhe vështirë se mund të vazhdojë nëse nuk hapet palestra ‘Minatori’ këtë sezon.
“E gjitha varet nga ‘Minatori’. Edhe lojtarët tjerë nuk janë shumë të disponuar të vazhdojnë, por nëse rregullohet ‘Minatori’ do të jetë arsye e fortë dhe mund t’i shtyjë basketbollistët tjerë të pranojnë të luajë për ‘Xehetarët’. Nuk ka shumë siguri sa i përket anës financiare”, deklaroi Mustafa për ‘Sport Plus’, duke shtuar: “Mua personalisht mi kanë borxh katër muaj. Por, varet prej lojtarëve. Disave u kanë borxh më shumë e disave më pak. Ende nuk kemi biseduar me kryesinë për borxhe apo për t’ia filluar stërvitjeve për sezonin e ri”, theksoi Mustafa.
Trepça në vitit 2012 fitoi Kupën dhe titullin, por më pas kishte shumë probleme. Në vitin 2013 nuk arriti të hyjë as në ‘play-off’, derisa sezonin e kaluar u eliminua në çerekfinale të Kupës nga Besa. /Telegrafi/