Telegrafi

Trepça fiton ndaj Vëllazënimit, Rahoveci ndaj Deçanit

(Foto: kosovahandball.info)

Trepça e ka fituar njërin prej derbive të javës së dhjetë në Superligën e Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në Gjakovë, skuadra mitrovicase e mposhti Vëllaznimin me rezultatin 33-28.

Trepça është e dyta në tabelë me 16 pikë, ndërsa Vëllaznimi renditet i gjashti me 10 pikë.

Ndeshjen më mirë e hapën mitrovicasit, që në pjesën e parë ishin vazhdimisht në avantazh. Vendasit disa herë u afruan në një gol, por pa mundur të barazojë. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 20-15 për Trepçën. Në pjesën e dytë Trepça ka mbajtur epërsi konstante dhe ka shënuar fitore të merituar.

Kushtrim Kastrati me 11 gola dhe Alban Shabani me 8 ishin më efikasët te mitrovicasit. Florian Rexha me 7 dhe Ardi Halili me 6 gola u dalluan te Vëllaznimi.

Ndeshje interesante u zhvillua edhe në Deçan. Rahoveci e mposhti skuadrën vendase me rezultat 31-29. Rahoveci tani është i pesti me 12 pikë, kurse Deçani mban vendin e tetë me 4 pikë.

Pjesa e parë ishte e barabartë, 14-14. Edhe pjesa e dytë ishte e fortë, ndërsa Rahoveci u shkëput deri në katër gola. Por në minutën e 57-të, vendasit u afruan në 29-28. Por rahovecasit mbyllën ndeshjen më mirë dhe fituan me 31-29. Alban Haziri shënoi 12 gola për Rahovecin.

Drilon Tahirukaj me 10 gola u dallua te Deçani.

Llapi ka shënuar fitore të pritur ndaj Zhegrës me rezultat 33-26.