Trepça ka shënuar fitore shumë të rëndësishme, duke mundur rivalin e vjetër, Pejën me rezultat 95:79 (16:13, 25:17, 26:17, 28:32), në kuadër të javës së 24-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë dhe përfundoi 16:13 për vendasit. Në periodën e dytë, mitrovicasit ishin edhe më bindës, duke e fituar këtë pjesë 25:17 për të shkuar në pushim me rezultat 41:30.
Edhe në periudhën e tretë, ‘Minatorët’ vazhduan me lojë të mirë, duke thelluar edhe më shumë epërsinë, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 67:47.
Në 10 minutat e fundit të ndeshjes, Peja u mundua të rikthehet, megjithatë, vendasit ruajtën epërsinë e krijuar dhe në fund fitojnë 95:79.
Te Trepça u dalluan Alante Fenner me 27 pikë, pesë kërcime e pesë asistime dhe Dj Hanes me 25 pikë, tetë kërcime e pesë asistime, kurse te Peja, 23 pikë i shënoi Dardan Berisha.
Trepça tani ka pesë fitore dhe 16 humbje, derisa Peja ka 12 fitore dhe nëntë humbje. Mitrovicasit renditen në vendin e shtatë me 26 pikë), kurse pejanët në vendin e gjashtë me 33 pikë.