Telegrafi

Trepça eksporton 237.50 tonelata koncentrat të plumbit

Ndërmarrja “Trepça” ditë më parë ka bërë të ditur se si përgjigje ndaj situatës afariste, menaxhmenti po merr një sërë vendimesh për transferimin dhe sistemin e përkohshëm të punonjësve.

E kjo sipas tyre me qëllim që të rrisin prodhimin dhe të mbështesin operimet në dy njësitë biznesore të minierave me flotacion Trepça – Stan Tërg dhe Kishnicë – Artanë.

Kjo ndërmarrje sot në një postim në Facebook njofton se të mërkurën ka eksportuar koncentratin e plumbit ‘K/Pb’ nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg.

“Më datë 4.9.24 Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka eksportuar koncentratin e plumbit ‘K/Pb’ nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg. Sasia e eksportuar e koncentratit të plumbit është 237.50T”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ditë më parë u njoftuar se deri tani gjashtë nëpunësve të menaxhmentit u janë caktuar detyra në njësitë biznesore të Ndërmarrjes Trepça, ndërsa janë bërë rreth 80 sistemime në ecurinë e prodhimit në njësinë Trepça – Stan Tërg.

Lidhur me prodhimin në këtë ndërmarrje kishte shkruar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Punëtorët e Trepçës në minierë e në flotacion janë duke punuar me përkushtim e kapacitet të shtuar për të rritur prodhimin e ashtu të hyrat e ndërmarrjes. Në anën tjetër, bordi dhe menaxhmenti i lartë i ndërmarrjes janë duke punuar me zell e me vigjilencë për forcim të kontrollit të brendshëm e rritje të disiplinës”, kishte thënë ajo. /Telegrafi/