Site icon Telegrafi

Trepça të bëhet shtyllë kryesore e zhvillimit të vendit

Qeveria e Kosovës është e interesuar që Trepçën ta kthejë në këmbët e veta, ngase Trepça ka rëndësi të madhe për Kosovën. Kështu u tha sot kryeministri Ramush Haradinaj, anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të “Trepça”, të kryesuar nga Ardian Syla.

Në këtë takim, kur të pranishëm ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u bisedua për punët që e presin Bordin e ri, për hartimin e statutit të Trepçës, regjistrimin e saj si shoqëri aksionare si dhe për zgjedhjen e bordit menaxhues, për të cilat kryeministri Haradinaj tha se duhet të përfundojnë shumë shpejtë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj i inkurajojë anëtarët e ri të Bordit Mbikëqyrës që të punojnë si ekip për ta rikthyer Trepçën në funksion të zhvillimit ekonomik dhe për t’ia rikthyer asaj namin e dikurshëm.

Kryeministri Haradinaj tha se i kupton problemet të cilat i presin bordin e ri, për të cilat tha se duhet angazhim të të gjithëve në zgjidhjen dhe tejkalimin e tyre.

Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës, u pajtuan që të ketë një bashkëpunim edhe në të ardhmen, ndërsa kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverinë mbështetjen e mëtejme për Trepçën. /Telegrafi/

Exit mobile version