Dikur punësonte gati gjysmën e Kosovës, ndërsa tani rrezikon të mbetet edhe pa ata pak punëtorë që ka. Gjiganti Metalurgjik, “Trepça”, është buzë falimentimit.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila administron këtë ndërmarrje thonë se pa investime të reja vështirë të funksionojë ajo. Ndërsa Qeveria e Kosovës, deri në fund të vitit duhet të marr masa për ta shpëtuar “Trepçën” nga falimentimi bashkë me kuvendin e AKP-në.
Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, thotë për Gazetën Fjala se miratimi i ligjit për Trepçën është zgjidhja e çdo lëvizje pozitive për të. “Ligji është më rëndësi sepse statusi nuk është zhvillimor, nëse nuk bëhet statusi zhvillimor unë mendoj se është një mbijetesë shumë e egër”, ka thënë ai.
Ai është optimist se ky gjigant do ti mbijetoj edhe kësaj kohe, pasi ka mbijetuar 16 vite pas luftës në këtë mënyrë, edhe pse kjo mbijetesë i ka rraskapitur. Tmava thotë se gjendja e tanishme e Trepçës do të përmirësohet duke e rritur prodhimin dhe të ardhurat me miratimin e ligjit në nëntor, kur edhe është afati i fundit për këtë ligj.
Njëri ndër problemet që e mban peng statusi i tanishëm për Trepçën janë edhe punëtorët e saj, afër 300 nga ta janë në moshën 65 vjeçare.
Drejtori i saj thotë se ka ardhur momenti i përgatitjes së punëtoreve të rinj, përgatitja e të cilëve do të zgjas 3 deri në 4 muaj deri sa të definohet statusi.
“Ne veç po presim sinajlet e para të ligjit dhe ne do të fillojmë me përgatitjen e punëtorëve të rinjë”, është shprehur ai.
Ndërkaq zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë se për punëtorët 65 vjeçar Trepça i ka dy zgjidhje: ti mbajë në punë, ose të kontribuojë në paga të pensioneve të parakohshme dhe në rastet tjera të kontribuojë në stipendicione.
“Përveç kujdesit ndaj ish-punëtorëve, Trepça si ndërmarrje duhet të jetë rentabile për të siguruar paga të rregullta për 2,600 punëtorë aktiv (1,550 të drejtuar nga Menaxhmenti Mitrovicë dhe 1050 nga Menaxhmenti Zveqan)” thotë ai.
Kaloshi, thotë se Agjencia është në proces të angazhimit të shërbimeve profesionale për të kryer studimin e fizibilitetit me orientime strategjike për zhvillim të Trepçës.
Ndërkaq, këshilltari Politik për Ekonomi në Zyrën e Kryeministrit, Sokol Havolli thotë se këtë ndërmarrje nuk do ta përcjellë fati i Brezovicës.
Sipas tij, janë procese të ndryshme dhe Qeveria e Kosovës është duke u marrë bashkë me institucionet tjera për të gjetur një zgjidhje.
E për njohësit e ekonomisë, Trepça ka mbetur as në qiell e as në tokë.
Blerim Burjani thotë se ka dështuar privatizimi i saj e përveç kësaj duket se edhe shndërrimi në ndërmarrje publike ka dështuar. “Qeveria ende zotohet se do ta përfundoj punën deri në fund për çka tërë kohën ka dhënë premtime por nuk i ka përmbush deri në fund dhe e ka lenë institucionin pa një status që duhet të fillojë të funksionoj”, është shprehur Burjani.
Se duhet të ketë investime të reja në Trepçë mendon edhe eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, sipas tij investimet janë të domosdoshme pavarësisht se a janë këto investime publike a po private. “Esenciale është fakti që Trepça gjithsesi të ketë investime përndryshe ajo do të ketë një përfundim bukur të papranueshëm për gjithë popullatën megjithëse ndikimi i Trepçës në zhvillimin ekonomik është shumë i madh”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq, në mbledhjen e fundit të Bordit të AKP-së është bërë me dije se për studimin e fizibilitetit të Trepçës deri tash kanë dorëzuar ofertat e tyre 7 kompani.
“Një prej pikave më me prioritet për Bordin dhe Menaxhmentin e AKP-së konsiderohet Trepça dhe tenderi i hapur i prokurimit për Ofruesin e Shërbimeve Profesionale për studimin e fizibilitetit të Trepçës. Në këtë pikë u raportua për një interesim të madh të kompanive dhe konzorciumeve ndërkombëtare për të marr pjesë në këtë proces, me ç’rast 26 prej tyre kanë marr dosjen e tenderit deri më tani, përderisa 7 nga ato kanë dorëzuar ofertat”, thuhet në njoftimin e AKP-së. /Gazeta Fjala/Telegrafi/