Telegrafi

Trepça buzë falimentimit, menaxhmenti, po dështon ta shes plumbin zinkun (Foto)

Pretendimet e menaxhmentit të Trepçës se janë në krizë për shkak të mungesës së licencës, por vërtetohen se janë të pabaza, pasi që sasinë e koncentratit të plumbit dhe zinkut në Trepçë nuk po e zënë depot.

Kjo vërtetohet nga disa fotografi të publikuara nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili ka treguar se sasia e xehes së përpunuar koncentratin e Plumbit dhe Zinkut nuk e zënë depot, për arsye se menaxhmenti i Trepçës ka dështuar ta shes!

“Menaxhmenti i Trepçës ka dështuar ta shes koncentratin e Pb dhe Zn, siç shihet në foto, depot e Trepçës nuk e zënë më sasinë e xehes së përpunuar, prandaj punëtorët e Trepçës janë detyruar që atë ta grumbullojnë edhe jashtë depove dhe ta mbulojnë xehen për ta mbrojtur nga të reshurat atmosferike, pasi siç dihet lagështia dëmton kualitetin e saj. Sipas bisedave me ekspertë të Trepçës për shkak të manipulimit “dallavereve” me shifrat e lagështisë, menaxhmenti i Trepçës ka dështuar ta shesë sasinë e koncentratit të përpunuar. Ka humbur blerësit!”.

Sipas tij, menaxhmenti i Trepçës duke e parë gjendjen buzë falimentimit në të cilën e ka sjellë këtë gjigant industrial, provoi që fajin t’ia hedh institucioneve qendrore.

“Fotot e prezantuara të depove plot koncentrat dhe jashtë tyre, borxhet ndaj operatorëve ekonomik, borxhet për shërbimet publike, blerja e makinerive të vjetra-për të reja, realizimi i projekteve jofitimprurëse për Trepçën, dështimi në shitjen e koncentratit dhe krijim i ekstra përfitimeve të menaxhmentit për veten e tyre në kundërshtim me ligjin , siç është rasti me “Qetën e Shpëtimit”, këto dhe shumë fakte të tjera dëshmojnë për keq- menaxhim të ndërmarrjes Trepça”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, transmeton Veriu.info.

Deputeti i PDK-së thotë se stoqet e grumbulluara të koncentratit të Plumbit dhe Zninkut demantojnë deklaratat e menaxhmentit, se për shkak të mungesës së licencës Trepça ndodhet në vështirësi financiare. Stoqet e xehes janë grumbulluar nga puna e minatorëve, jo nga mos puna, kjo demanton deklaratat e menaxhmentit se ata kanë ndërprerë prodhimin.

“Minatorët e Trepçës kanë vazhduar punën e tyre si zakonisht, kanë nxjerr xehe, e kanë përpunuar-flotuar , e kanë përgatitur për shitje, por menaxhmenti i Trepçës ka dështuar ta shesë dhe me këtë e ka futur Trepçën në krizë financiare. Se Trepça ndodhet buzë kolapsit tani më e dinë të gjithë. Këtë e deklaruan me 9 mars 2015 edhe menaxhmenti i saj, vetëm se ata provuan ta dezinformojnë opinion për arsyet e kësaj krize financiare. Ata fajin deshën t’ia hedhin institucioneve qendrore gjoja mungesës së licencës për shfrytëzim, gjë që është tërësisht e pavërtetë, sepse sipas ligjit për miniera dhe minerale neni 36, pika 4, KPMM-ja mundet – në rrethana të veçanta dhe në ushtrimin e diskresionit të tij të arsyeshëm – të vazhdojë , periudhën në fjalë për një periudhë shtesë prej tre (3) muajve. D.m.th, në rastet kur nuk refuzohet licenca aplikuesit i lejohet vazhdimi i saj edhe për tre muaj shtesë, që në rastin e Trepçës i bie se licenca është e lejueshme deri me 24 prill 2015. Trepça nuk ka ndalur prodhimin për asnjë ditë , por keq menaxhimi që i është bërë viteve të fundit e ka sjellë Trepçën buzë kolapsit”, thekson ai.

Bekim Haxhiu pyet pse minatorët për çdo ditë po punojnë, po nxjerrin xehe, po e përpunojnë atë, po e përgatisin për treg, ndërsa menaxhmenti po dështon ta shes? /Telegrafi/