Site icon Telegrafi

Trepça bojkoton barazhin, refuzon të luajë në Prishtinë

“Po ua jap fjalën që nuk do të udhëtojmë në Prishtinë. Nuk ka shanse që barazhi të luhet në Prishtinë”, tha fillimisht kryetari i klubit, Nexhmedin Haxhiu për ‘Sport Plus’.

Deklaratat e kryetarit të Trepçës vijnë ditën që Komiteti Ekzekutiv i FFK-së konfirmoi datën 4 qershor për zhvillimin e ndeshjes së barazhit për Superligë, Trepça – Llapi që luhet në stadiumin e Prishtinës nga ora 17:00.

Kryetari i Trepçës, Haxhiu, tregon edhe arsyet e mos udhëtimit të tyre për në Prishtinë. “Arsye për këtë është se në këto ndeshje vijnë shumë shikues. Siç dihet, ‘Torcida’ nuk i ka marrëdhëniet e mira me tifozët vendas aty dhe ne nuk kemi llogari që dikush të lëndohet. Kjo është ide e tifozëve dhe ne i përkrahim, andaj edhe nuk do të udhëtojmë. Pastaj, çështja tjetër është se Llapi në Prishtinë ndihet si në vend të vetë. Duam që kjo ndeshje të zhvillohet në një tjetër qytet e mos të favorizohen ekipet”, pohoi ai.

Në fund, ai tha se Llapi po favorizohet në çdo mënyrë dhe për këtë do ta lënë të futet në Superligë pa lojë. “Llapi po favorizohet në çdo mënyrë. Mirëpo, ne nuk do të udhëtojmë në Prishtinë, e FFK le ta inkuadrojë direkt këtë ekip në Superligë”, përfundoi Nexhmedin Haxhiu. /Telegrafi/ 

Exit mobile version