Drejtuesit e klubit mitrovicas janë habitur kur kanë dëgjuar deklarata të tilla nga një trajner të cilit ia kishin besuar punën për një vit e gjysmë. Ata thonë se ‘Toki’ e fyeu të gjithë Mitrovicën dhe kërkojnë nga ai që të kërkojë falje publike.
“Trajneri Afrim Tovërlani dha deklarata tendencioze, trilluese ndaj të gjithë sportistëve dhe qytetarëve të Mitrovicës. Ai ka qenë pjesë e skuadrës sonë për 1,5 vjet dhe ka gjetur mbështetje, bashkëpunim dhe kushtet që ka kërkuar. Ne klub ngrisim zërin kundër deklaratave të tij drejtuar sportistëve dhe qytetarëve mitrovicas përmes fyerjeve, trillimeve dhe shantazheve. Ne që ishim prezentë dhe ata që kanë shikuar xhirimet mendojmë se Tovërlani nuk ka merituar të goditet, por jemi shumë të bindur se as ne klubet dhe qytetarët e Mitrovicës nuk i kemi merituar ofendimet që ka bërë trajneri në mediat e shkruara dhe elektronike”, ankohen ‘Xehetarët’.
“Sjellja, por edhe deklarimet e këtilla nuk duhet të jenë pjesë e një pedagogu që trajnon dhe edukon të rinjtë, andaj e kuptojmë mllefin, por jo edhe urrejtjen e trajnerit ndaj të gjithë mitrovicasve. I shtrojmë pyetje Tovërlanit se ku ishte me deklarata pas gazit lotsjellës në ndeshjen Prishtina – Trepça ’89, që është dukshëm më i rrezikshëm? Trepça ‘89 kërkon nga trajneri Tovërlani që të kërkojë falje publike për deklaratat fyese ndaj të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”, përfundon komunikata e nënshkruar nga kryetari i klubit, Abedin Zeka. /Express/Telegrafi/