Trepça ’89 ka marrë tri pikë pas katër ndeshjeve pa shijuar fitore, pasi ka mposhtur KEK-un 4-1.
Mysafirët e nisët më mirë takimin, duke shënuar gol vetëm pas tetë minutash lojë.
Ishte sulmuesi Ardit Gashi që shënoi pas një depërtimi të bukur në zonë për 0-1.
Por epërsia e mysafirëve nga Kastrioti nuk zgjati më shumë se tre minuta.
Trepça ’89 barazoi rezultatin në 1-1 falë golit të Ergys Mezinit që shënoi pas një goditje të fuqishme brenda zonës.
Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.
Pjesën e dytë e nisën fuqishëm vendasit që realizuan dy gola të shpejtë.
Fillimisht Gëzim Rusi realizoi pas një gabimi të portierit vendas për epërsinë e parë të 89-shit në këtë takim.
Dy minuta më vonë, Rusi shënoi golin e dytë personal në këtë takim dhe të tretin për skuadrën e tij 3-1.
Krejt në fund të ndeshjes, Arb Manaj i vendasve shënoi për rezultatin përfundimtar 4-1.
Pas kësaj fitore, Trepça ’89 largohet nga zona e barazhit dhe zë pozitën e shtatë në tabelë me 19 pikë të tubuara.
Ndërkohë KEK-u vazhdon të mbetet e fundit në tabelë me vetëm një pikë.
Në ndeshjen e ardhshme 89-shi luan në udhëtim te Drenica, ndërsa KEK-u pret Lirinë. /Telegrafi/