Telegrafi

Trepça ’89 regjistron fitore të rëndësishme ndaj Ferizajt

(Foto: FC Ferizaj/Facebook)

Shtatë gola janë shënuar në ndeshjen ndërmjet Ferizajt dhe Trepçës ’89, të cilën e fitoi skuadra mysafire me rezultat 5-2.

Një top të Arb Manajt e devijoi Behar Bardhi për të shënuar autogol dhe në këtë mënyrë e zhbllokoi rezultatin (18’). Dy minuta më pas (20’), Ardian Muja e dyfishoi epërsinë e mitrovicasve.

Pa përfunduar pjesa e parë, vizitorët shënuan sërish, ndërsa realizues ishte Arb Manaj (39’).

Kenan Orana shënoi për vendasit në gjysmën e dytë (61’), mirëpo reagimi i Muharrem Jasharit ishte i shpejtë (67’) për golin e katërt të Trepçës ’89.

Edhe një gol për nikoqirët e realizoi Nermin Ajdarevic (75’), ndërsa rezultatin përfundimtar e vendosi Berat Ahmeti (90’+2).

Gjatë pjesës së dytë, Ferizaj mbeti me dy lojtarë më pak në fushë pas përjashtimit të Gentrit Halilit (66’) dhe Behar Bardhit (84’).

Me këtë fitore, Trepça ’89 (me 34 pikë) është vetëm një pikë prapa pozitës së tetë që mbahet nga Drenica. Derisa Ferizaj numëron vetëm 26 pikë. /Telegrafi/