Trepça ’89 dhe Drita hapin pranverën duke u ndeshur me njëra-tjetrën. Ndeshja që do të zhvillohet sot prej 14:00 në ‘Riza Lushta’ të Mitrovicës, pritet të jetë shumë interesante, duke u bazuar në faktin që dy skuadrat njihen për lojë të mirë dhe nuk kanë nevojë jetike për pikë.
Të paktën, këtë të fundit e thotë lojtari i vendësve, Emin Baliqi. Futbollisti që iu bashkua 89-shit në afatin kalimtar të janarit nga Trepça, pret të debutojë me fitore nën fanellën e skuadrës së Fahredin Durakut.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. E dimë që Drita është skuadër e kompletuar me individë të dalluar, por ne do t’i qasemi ndeshjes me lojën tonë dhe do të tentojmë t’i marrim tri pikët”, deklaroi Baliqi për gazetën Arena. Ani pse 89-shi është më poshtë se Drita në tabelë, saktësisht në vendin e tetë me 21 pikë të tubuara, Baliqi nuk mendon se skuadra e tij e ka presionin e pikëve.
“Jemi shumë të qetë në këtë fillim të edicionit. Nuk mund të them që e kemi presionin e fitores, ani pse Trepça ’89 nuk gjendet vendet që e meriton”, shtoi ai. Trajneri vendës, Fahredin Duraku, do të ketë për mungesë talentin Rron Broja, që mungon shkaku i kartonëve. /Tribuna/Telegrafi/