Trepça ’89 i është gëzuar fitores së parë sezonale duke e mposhtur KEK-un në udhëtim me rezultat 5-1.
Në duelin e zhvilluar në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq, skuadra mysafire e dominoi pjesën e parë, në të cilën i shënoi tre gola.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 17-të me golin e Martin Mircevskit, i cili u asistua nga Gëzim Rusi.
Pas një gabimi të portierit vendas, Antonio Bujcevski e dyfishoi epërsinë (24′).
Në minutat shtesë të pjesës së parë, vizitorët e gjetën sërish golin, ndërsa ishte një autogol nga Leonat Vitia.
Në gjysmën e dytë vendasit e shënuan atë që njihet si goli nderit. Realizues ishte Gëzim Berisha nga penalltia.
Kur po afrohej fundi i takimit u akordua penallti edhe në favor të mysafirëve, të cilën e konvertoi në gol Maringlen Shoshi (85′).
Trepça ’89 nuk u ndal me kaq, por e shënoi edhe golin e pestë. Golashënues ishte Stojancho Velinov (89′).
Kjo është fitorja e parë e Trepçës ’89 në sezonin 2018/2019 në Superligën e Kosovës në futboll.
Pas katër xhirosh, skuadra nga Mitrovica numëron katër pikë nga një fitore, një barazim dhe dy humbje.
Për KEK-un kjo ishte humbja e katërt nga po aq ndeshje dhe akoma nuk ka arkëtuar asnjë pikë në edicionin e ri. /Telegrafi/