Treni dhuratë nga Rusia, që thuhet se do të shërbejë në relacionin Beograd-Mitrovicë, e që shihet si rrezik për sigurinë në Kosovë, duket se nuk do ta arrijë destinacionin e dëshiruar.
Mediat serbe raportojnë për gjoja “sulm terrorist” në Kosovë, në hekurudhë, për çka ka raportuar Telegrafi më parë.
Sipas këtyre raportimeve, “disa persona të maskuar shihen teksa vendosin diçka në shinat e hekurudhës”.
Për këtë arsye, thuhet se treni do të kthehet në Beogradi.
Ndryshe, ministri i Punëve të Brendshëm, Skender Hyseni, ka thënë se nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë hyrjen e trenit serb në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka dhënë urdhër që me çdo çmim të mos lejohet hyrja e trenit serb në Kosovë.
Gazetarja e Telegrafit mëson se treni nuk ka arritur te lokacioni i ish-Ushtrisë jugosllave i quajtur “Vojni Remont”, ku ishte pika e ndalesës. /Telegrafi/