Klubi i basketbollit Besa e ka nisur sezonin e ri më keq se që e kishte pritur. Skuadra pejane pësoi dy humbje në dy ndeshjet e para, nga RTV-21 dhe nga Drita.
Kjo i ka shtyrë drejtuesit e klubit të kaltër që të mendojnë seriozisht për ndryshime. Mirëpo, kjo do të ndodh pas ndeshjes me Bashkimin, që zhvillohet të dielën.
Nëse debutuesi i ETC Superligës nuk e regjistron fitoren e parë, ka mundësi që trajneri Boris Kurtovic të shkarkohet, e bashkë me të në shtëpi të shkojnë edhe 2-3 basketbollistë të huaj.
Për këtë siguron kryetari i klubit, Arbër Elshani. “Do ta mbajmë mbledhjen e Bordit dhe t’i marrim disa vendime. Klubi nuk është në gjendje të volitshme, duhet të reagojmë në të gjitha mënyrat, për ta bërë më të mirën. Do të mobilizohemi të gjithë për ta mposhtur Bashkimi. Besoj se nëse angazhohemi si duhet, do të shkojmë mirë”, deklaroi fillimisht Elshani për Express.
Por, ai është i përgatitur edhe për një disfatë eventuale, e cila do të bënte që në klubin e ish Studentit të bëhen ndryshime drastike.
“Edhe ne kemi investuar, duke sjell katër lojtarë të huaj, që nuk janë pak. Unë ju siguroj se nuk do të luftojmë për mbijetesë. Ekipi nuk është komponuar ende, të shohim të dielën. Nëse nuk fitojmë ndaj Bashkimit, trajneri mund të largohet, por bashkë me të edhe Smith e Dimitri, me të cilët nuk jemi të kënaqur. Do të sjellim lojtarë të rinj”, vazhdoi kreu i klubit pejan.
Sidoqoftë, Elshani beson se Besa do të këndellet shumë shpejt dhe që do të ketë një sezon debutues të suksesshëm në elitën e basketbollit kosovar. /Express/Telegrafi/