Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, gjatë vizitës së sotme në Probishtip, së bashku me kryetarin e komunës Dragan Anastasov, në Klubin e pensionistëve, pati një takim me pensionistët e kësaj komune.
Në takim u diskutuan çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre.
Amendamentet e fundit të Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, i cili hyri në fuqi në mars të vitit 2022, i cili prezantoi një mënyrë të re të harmonizimit të pensioneve, ishte tema kryesore e takimit të sotëm.
“Rritja e pensioneve përmes futjes së metodologjisë së re për harmonizimin e pensioneve është ndër masat e para që i kemi zbatuar në 100 ditët e para të mandatit të kësaj Qeverie”, tha Trençevska.
Ministrja informoi pensionistët se sipas analizave të marra nga Ministria e Financave, harmonizimi sipas ndryshimeve të ligjit do të kontribuojë në rritjen e pensioneve për të paktën 6%.
Nëse pensioni mesatar aktualisht është 16.300 denarë, me këtë rregullim pensioni do të rritet për rreth 1.000 denarë. Kjo shumë mund të jetë më e lartë ose më e ulët në varësi të të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH) sipas të cilave do të rregullohen pensionet./Telegrafi/