Telegrafi

Trençevska: Puna në zgjidhjen e çështjes së pensionit minimal është komplekse, nuk pritet zgjidhje shumë shpejtë

“Deri në fund të kësaj jave pritet që Qeveria t’i sjellë masat për të gjitha kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve. Atëherë saktësisht do të dihet se kush do të përfshihet dhe sa do të jetë mbështetja, tha sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale”, Jovana Trençevska. Nga Grupi i punës, shtoi, tashmë janë dorëzuar propozime të mbështeten posaçërisht pensionistët me pensione të ulëta.

Siç informoi ministrja, po punohet edhe në zgjidhjen për pensionin minimal, por, duke pasur parasysh se është komplekse, me siguri nuk do të jetë gati deri në fund të këtij muaji.

“Po, po diskutohet edhe për masat që duhet t’i propozojë Grupi i punës, i propozuan në të vërtetë në Qeveri në mënyrë që t’i mbështesim edhe posaçërisht pensionistët me pensione të ulëta, ndërsa po punohet edhe në një zgjidhje sistemore për propozim-ligjin, propozim-dispozita për konstatimin e pensionit minimal. Megjithatë, nuk pres që shumë shpejtë, se deri në fund të këtij muaji do të sillet ndonjë zgjidhje, sepse, megjithatë, ajo është një çështje komplekse me të cilën rregullohet pensioni minimal. Do të vazhdojë Grupi i punës, ndërsa masat për të gjitha kategoritë e ndjeshme të qytetarëve presim deri në fund të kësaj jave të sillen nga ana e Qeverisë”, tha Trençevska.

Sipas saj, me masat me siguri do të targetohen pensionistët më të ndjeshëm, ata me pensione më të ulëta.

“Sinqerisht, derisa nuk kumtohen, nuk dëshiroj të vendos në ankand se cilat kategori të pensioneve do të përfshihen, do të përfshihen një numër i madh i pensionistëve, e gjithsesi do të përfshihen edhe kategori të tjera të ndjeshme të qytetarëve. Deri kur pensionistët do të mund ta shfrytëzojnë këtë masë, do të shpallet sapo të pranohen masat, përkatësisht të miratohen në mbledhje qeveritare. Besoj se deri në fund të javës do të keni informatë për tërë atë që si pako e masave antikrizë do ta sjellë Qeveria, cilat kategori të qytetarëve do të përfshihen dhe sa do të jetë mbështetja mujore”, informoi ministrja Trençevska. /Telegrafi/