Ligji për barazinë gjinore nuk është i njëjtë me Ligjin për evidencën amë. Ligji për evidencën amë merret e trajton identitetin gjinor, respektivisht mundësinë e një personi transgjinor të jetë në gjendje të ndryshojë shenjën në numrin amë aty ku është shënohet gjinia, ndërsa Ligji për barazinë gjinore fokusohet në përmirësimin e pozitës së gruas në shoqëri. Nuk humbin asgjë nga ajo që për momentin e kemi si të drejtë, deklaroi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
Ministrja theksoi se Ligji për barazi gjinore përmirëson pozitën e gruas në të gjitha sferat e jetës shoqërore dhe çfarë duhet të bëjë shteti për të përmirësuar pozitën e gruas në shoqëri.
Siç tha, me Ligjin për barazi gjinore as nuk trajtohet ndryshimi i gjinisë dhe as martesat e gjinisë së njëjtë.
“Kemi mbajtur 18 debate publike lidhur me Projektligjin për barazi gjinore. Ligji është ende në proces konsultimi, nuk është as në procedurë parlamentare, e as në qeveri. Procesi i gjerë i konsultimit vazhdon, për të dëgjuar të gjitha palët e interesuara dhe të vijmë në një zgjidhje që do t’i përshtatet tërë shoqërisë”, deklaroi Trençevska në brifingun e sotëm me gazetarët.
Sipas ministres, problemi lindi me bashkimin e këtyre dy ligjeve. Siç tha, bëhet fjalë për dy ligje të ndryshme që trajtojnë probleme të ndryshme.
“Për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencën amë, Qeveria në mars të vitit 2022, në seancë ka marrë vendim që të tërhiqet nga procedura parlamentare, me qëllim zgjerimin e procesit konsultativ dhe gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i përshtatet të gjitha palëve të involvuar në shoqëri”, tha Trençevska.