Site icon Telegrafi

“Trenat” e Mulliqit përshkojnë Apolloninë

Veni dhe Vini, burrë e grua, janë dy personazhet e dramës “Trenat”, shkruar nga dramaturgu kosovar Haqif Mulliqi dhe me regji të Agim Selamit. Ata janë në pritje të trenit, që do t’i çojë larg një fatkeqësie të pritshme nga pushtuesit, por treni nuk vjen. Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin, pa e pyetur për moshën e gjininë e përdorin si mjet, si armë lufte – raporton Panorama.

Këtu nis drama, personazhet e së cilës, edhe pas pësimit, mbesin në pritje të trenit, por tani për të ikur nga vetja e tyre. Mbesin në pritje të atij treni që do t’i shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtit, psikës, emocioneve, ndërgjegjes, gjakut… Ai tren për Veni-Vinin nuk vjen kurrë. Në këtë pritje pa fund shpërthejnë akuzat, kundërakuzat, vetakuzat, mospajtimet e konfliktet, shpresa, dashuria e dhimbja e Veni-Vinit, që herë ndërtojnë, e herë shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Ata tashmë janë kthyer në dy personazhet beketianë, Vladimiri e Estragoni, ndërsa treni në një Godo. Në fund të dramës, Veni e thërret gruan e tij Vinin me emrin që Estragoni e Vladimiri e thërrasin njëri-tjetrin: Didi. Më në fund, vdekja vjen për njërin prej tyre dhe ai udhëtim vajtje-ardhje tani ka vetëm një biletë pa kthim.

Exit mobile version