Site icon Telegrafi

Tremujori i katërt: Shuma e rimbursimit për kuponët fiskalë tejkalon 1.6 milion euro

Numri i kuponëve fiskalë të dorëzuar në Administratën Tatimor të Kosovës (ATK), për tremujorin e katërt të vitit 2015 është rritur ndjeshëm, me çka edhe pritet rritja e vlerës së shumës së rimbursimit të qytetarëve nga buxheti i shtetit.

Zyrtarët e ATK-së kanë treguar se ende nuk janë verifikuar të gjithë kuponët e dorëzuar.

“Verifikimi i plikove me kuponë fiskalë nga komisionerët për TM4 është ende duke vazhduar, pra ende nuk ka përfunduar. Numrin e saktë të kuponëve fiskalë sa janë dorëzuar mund ta kemi vetëm në fund të procesit të verifikimit. Deri me datën 08.03.2016 janë dorëzuar 6,174,638 kuponë fiskalë”, ka bërë të ditur ATK për Telegrafin.

Sipas tyre, deri të martën nga plikot e verifikuara shuma e rimburësimit e tejkalon 1.6 milion euro.

“Numri i Plikove të verifikuara deri më 8 mars për TM4, tregon se ATK-ja do të ju rimbursoj shumën 1,662,830.00 euro për 92,247 qytetarë, mirëpo deri në përfundim të procesit të verifikimit nuk dihet saktë se cila do të jetë shuma totale që do të ju rimbursohen qytetarëve”.

Sipas zyrtareve të ATK-së, rimbursimi i qytetarëve për kuponët fiskalë pritet të përfundojë gjatë muajit mars. /Telegrafi/

Exit mobile version