Trembëdhjetë të akuzuar për sulmin në “Ataturk”
Autoritetet turke kanë ngritur aktakuzë kundër 13 të dyshuarve, nga të cilët dhjetë janë shtetas turq, për shkak të sulmeve vetëvrasëse në aeroportin “Ataturk” në Stamboll.
Autoritetet akuzojnë Shtetin islamik se qëndron prapa sulmeve me armë dhe eksploziv, të martën kur u vranë 45 njerëz, përfshirë 19 të huaj, transmeton AFP.
Të dyshuarit që gjenden në paraburgim policor akuzohen për pjesëmarrje në organizata terroriste, vrasje dhe rrezikim të integritetit shtetëror.
Kryeministri turk, Binali Jillderem, ka dhënë më shumë detaje nga hetimet duke shtuar se policia deri më sot ka arrestuar gjithsej 29 njerëz që dyshohet se kanë lidhje me sulmet e në mesin e tyre ka edhe të huaj.
Zyrtarët turq më herët kanë bërë publike se tre sulmuesit kanë qenë shtetas të Rusisë, Uzbeskistanit dhe Kirgistanit.
Mediat në Turqi kanë njoftuar se organizator i sulmit është Ahmed Çatajev, udhëheqës çeçen i degës së ISIS-it në Stambol, që se ka siguruar vendstrehimin për sulmuesit.
Çatajev ka organizuar dy sulme me bomba këtë vit në lagjen ‘Sultan Ahmet’ dhe në rrugën Istiklal.