Anijet “RoRo”, të dedikuara për transportin detar të automjeteve, po dëshmojnë një rritje të ndjeshme të aktivitetit në portin e ri të Porto Romanos në Durrës.
“Me ardhjen e anijeve RoRo është vënë re një dyndje masive e automjeteve, pasi me kontejner mund të vinin 200 kontejnerë me makina, që i thonë rreth 800 automjete”, thotë Luis Bekteshi, menaxher operacional në portin MBM.
Kjo rritje vihet re veçanërisht në fluksin e automjeteve me origjinë nga Koreja e Jugut, tregues i një tendence në rritje në sektorin e importit të automjeteve.
“Ka qenë një lloj eksperimenti me 300+ makina nga Koreja e Jugut me destinacion Shqipërinë dhe porte të tjera në rajon e Europë”, shprehet ai.
“Momentalisht janë diku tek 3050, 3100 makina që kanë mbërritur në port. Me të dhënat që kemi ne parashikohet që deri nga fundi i majit të kalojë shifrat 5500-6000 automjete”, thotë Bekteshi.
Për Bekteshin, tendenca e importit të automjeteve nga Koreja e Jugut i atribuohet disa faktorëve.
“Ka shumë tregtarë që kanë vite që punojnë me Korenë e Jugut, pasi cilësia e automjeteve është shumë e lartë, mirëmbajtja, pra janë në gjendje shumë më të mirë sesa makinat që blihet në Europë dhe në çmim janë më lirë”, shpjegon ai.
Përveç shërbimit të tregut të brendshëm, Durrësi shërben kështu edhe si një qendër kryesore transiti, për automjetet e destinuara për vendet fqinje në Ballkan dhe më gjerë.