Telegrafi

Tregu i sigurimeve në Kosovë, atraktiv dhe i sigurt

Sigurimet e jetës vazhdojnë të shënojnë rritje solide, duke treguar se ky sektor i tregut të sigurimeve mbetet mjaftë atraktiv për investitorët dhe zgjerim të produkteve nga kompanitë ekzistuese. Tregu i sigurimeve në Kosovë, mbetet treg i sigurte dhe stabil, sa i përket kërkesave të stabilitetit financiar. Kështu u tha në konferencën e dytë ndërkombëtare të sigurimeve në Kosovë.

Bedri Hamza, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës tha se në kuadër të zhvillimit ekonomik, sigurimet japin një kontribut të rëndësishëm në rritjen dhe stabilitetin e mirëqenies ekonomike, përmes shpërndarjes së rreziqeve individuale dhe ofrimin e mbulesave siguruese nga rreziqet dhe pasojat financiare. Ndërsa tha se për krijimin e një sistemi të sigurisë së qëndrueshëm dhe konkurrues, korniza ligjore është esenciale dhe se kjo është avancuar gjatë këtyre viteve.

“Si një mekanizëm i rëndësishëm sigurimet luajnë një rol të veçantë, në përkrahjen e investimeve të jashtme, përmes zvogëlimit të riskut investues. Industria e sigurimeve në Kosovë, është në vitin e 15 dhe si e tillë ka kaluar në periudha të ndryshme të zhvillimit. Gjatë këtyre viteve industria e sigurimeve të Kosovës ka shënuar rritje, qoftë në aspektin e rritjes së numrit të kompanive të sigurimeve, qoftë në aspektin e bruto premive të shkruara dhe aseteve të përgjithshme të industrisë së sigurimeve në përgjithësi. Nga 30 kompani të sigurimeve, sa aktualisht operojnë në Republikën e Kosovës, 10 prej tyre janë kompani të sigurimit jo jetë dhe tri të kompanive të sigurimit jetë. Nëntë nga kompanitë e sigurimeve, të cilat operojnë në Kosovë janë kompani në pronësi të huaj dhe katër nga to janë kompani me pronësi vendore. Kjo dëshmon se tregu i sigurimeve në Kosovë vazhdon të jetë atraktiv, për kompanitë e mëdha regjionale dhe evropiane”, pohoi Hamza.

Ai po ashtu theksoi se rritje u shënua dhe në demet e paguara, vlera e të cilave gatë vitit 2013 ishte 38.6 milionë euro, apo 24.4 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë.

Por Greet Flore, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Byrove, e cila foli për vazhdimin e përpjekjeve të këtij këshilli, për hapjen kufijve për qytetarët e Kosovës tha se me gjendjen e tanishme, është e pamundur që këshilli i byrove, t’i jap mundësi Kosovës, që të jetë anëtare e këtij këshilli.

“Këshilli i Byrove vazhdon përpjekjet e tij për hapjen e kufijve për qytetarët e Kosovës. Kjo është tema kryesore sot dhe mendoj se është një mesazh shumë i rëndësishëm për juve. Prej vizitës sime të fundit në Kosovë, për fat të keq nuk ka kurrfarë ndryshimesh. Me të vërtetë ne jemi ballafaquar dhe ballafaqohemi, me të njëjtat pengesa në vitin 2013 dhe viteve me herët. Nuk ka ndonjë njohje prej Kombeve të Bashkuara. Normalisht nuk njihen as targat e Kosovës. Nuk ka as ndonjë nënshkrim të konventes së Vjenës, gjë që me të vërtetë shumë të pamundur që Këshilli i Byrove të iu jap mundësi që të jeni anëtare e këtij këshilli”, tha ajo.

Ndërkaq Rrahim Pacolli, anëtarë i asamblesë së përgjithshme, të Byrosë Kosovare të sigurimeve tha se do ta bëjnë të pamundurën për arritjen e një marrëveshje me Serbinë dhe me kartonin e gjelbër, në mënyrë që bashkatdhetarët që vij]ë në Kosovë, të lëvizin lirshëm.

“Desha të iu them qytetarëve se menjëherë pas fillimit të bisedimeve në Bruksel, ne do të bëjmë maksimumin për arritjen e një marrëveshje me Serbinë dhe me kartonin e gjelbër paralel, që bashkatdhetarët tanë, të mund të qarkullojnë të lirë kur të hyjnë në territorin e Kosovës, të vijnë pa paguar. T’i mbulojë kartoni i gjelbër dhe në territorin e Kosovës. Gjithashtu dhe bashkatdhetarët e Kosovës, ta kenë një pikë të kartoni të gjelbër në Kosovë, evropian që mund ta paguajnë një tarifë normale dhe me lëviz të lirë në Evropë“, tha ai.

Ndërkaq, për Faton Abazin, drejtor ekzekutiv në Byron Kosovare të Sigurimeve e dhimbshme dhe shqetësuese, mbetet ajo që qytetarët tanë që jetojnë në diasporë, padrejtësisht duhet të paguajnë polisë kufitare duke pasur kartonin e gjelbër. Ai tha si qytetarët po ashtu dhe bizneset, duhet të paguajnë shuma të konsiderueshme për të shkuar në vendet e rajonit. /Telegrafi/