Telegrafi

Tregu i naftës do të stabilizohet

Anëtari kryesor i OPEC, Arabia Saudite ka sinjalizuar se nuk do të mbështesë ndryshime të mëdha në prodhimin e naftës, gjatë takimit që do të zhvillohet këtë javë.

Ministri i Naftës i Arabisë Saudite, Ali al-Naimi deklaroi se parashikon që tregu i naftës do të stabilizohet vetë, por nuk komentoi takimin e zhvilluar me zyrtarët rusë të Martën. Ndërsa ministri Iranian i Naftës, Bijan Zangeneh, deklaroi se disa anëtarë të OPEC, janë përfshirë në një betejë mbi ndarjen e tregut dhe këmbënguli se prodhuesit që nuk janë anëtarë të OPEC të marrin pjesë në politikat e prodhimit që ndjek organizata.

“Gjëja më e rëndësishme për të gjithë ne është uniteti dhe solidariteti i OPEC. Në këtë situatë besoj se duhet të kemi edhe kontributin e vendeve jo anëtare të OPEC për manaxhimin e tregut”, tha ministri Iranian. Takimi i së Enjtes i OPEC do të jetë një nga mbledhjet më të rëndësishme në vitet e fundit, pasi çmimet e naftës kanë rënë me rreth 30% që nga Qershori i këtij viti, në rreth 79 dollarë për fuçi.

Rënia është shkaktuar kryesisht nga rritja e prodhimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga rritja e ngadaltë e ekonomisë globale. Ndër 12 anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, vetëm Venezuela dhe Iraku kanë bërë thirrje për uljen e prodhimit. Vendi jo anëtar i OPEC, Rusia, që prodhon rreth 10.5 milionë fuçi naftë në ditë ose 11% të prodhimit global, sinjalizoi se është dakord me një ulje të prodhimit, pasi po e vuan shumë rënien e çmimeve të naftës.

Por, pasi u takua me përfaqësuesit e disa vendeve prodhuese të naftës, Igor Sechin, kreu i kompanisë ruse të naftës, Rosneft, bëri një deklaratë surprizë duke thënë se Rusia nuk do të ulë prodhimin edhe sikur çmimet të bien në 60 dollarë për fuçi. /Telegrafi/