Telegrafi

Tregu i gjelbër i Prishtinës pa asnjë investim shkaku i statusit

Tregtarët prishtinas po përpiqen të punojnë në tregun i cili ka kushte minimale pune. E Komuna e Prishtinës dhe AKP-ja po rivalizojnë për çështjen e hapësirës ku parashihet të vendoset tregu.
Në Komunë kanë bërë të ditur se kanë kërkuar që hapësira ku është vendosur AKP-ja të lirohet, pasi që është pronë komunale, shkruan sot “Koha Ditore”.

“I kemi kërkuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të lirojë hapësirën ku gjendet, pasi që është pronë komunale, në mënyrë që të vendosim Tregun e gjelbër në atë pjesë”, ka thënë zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta.

E në AKP e kanë pranuar se prona është komunale, porse janë në pritje të procedurave.

“Hapësira ku janë të vendosura zyrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është pronë komunale, për çka AKP-ja paguan qira mujore. Kërkesën e Komunës për lirimin e hapësirës në të ardhmen, Agjencia e ka përcjellë në Ministrinë e Administratës Publike”, është përgjigjja e vetme e AKP-së.

E derisa të zgjidhet kjo çështje, tregtarët do të vazhdojnë të punojnë në kushte të njëjta. Sa herë që ka reshje atmosferike, mallrat e tyre i ekspozohen rrezikut të prishjes, ngase mbi tezgat e tyre ka llamarinë, najlona e tenda. Tregtarët ankohen për mostrajtim nga ana e Komunës. /Telegrafi/