Telegrafi

Tregtia me BE-në, 2.2 miliardë euro në vit

"Për vitin 2008, shkëmbimet me vendet e BE-se kanë zënë mbi 64.8% të volumit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ndërsa eksportet e mallrave drejt vendeve të BE-së për vitin 2008, kanë zënë rreth 80 % të totalit të eksporteve, me një rritje prej 11.8% në krahasim me vitin 20007",- thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Integrimit.

Me reduktimin gradual të tarifave doganore, duke nisur nga 1 janari i vitit 2006, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian janë rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë vitit 2008, importet nga BE-ja janë rritur me rreth 19%, krahasuar me një vit më parë dhe arrijnë në rreth 2.2 miliardë euro, ose rreth 61% e totalit të importeve që hyjnë në Shqipëri.

Edhe eksportet kanë njohur një gjallërim, por në vlera shumë më modeste. Kështu, sipas të dhënave të Ministrisë së Integrimit, për 2008-ën janë eksportuar 46 milionë euro produkte bujqësore, nga 23 milionë që ishin një vit më parë, me një rritje prej 50%. Ndërsa vetëm importet nga BE-ja të produkteve bujqësore, gjatë vitit të kaluar pësuan një rritje prej 135%, duke shënuar një vlerë totale prej 342 milionë eurosh.