Site icon Telegrafi

Tregtia lë në “lloç” Gjermaninë

Rritja mbi pritshmëritë e importeve gjermane lë disi në hije rritjen e eksporteve gjatë Qershorit, duke ngushtuar kështu suficitin tregtar.

Ekonomia më e madhe e Europës e mbylli tremujorin e dytë të vitit në një formë aspak të njëjtë me atë të tremujorit të parë. Porositë e dobëta të industrisë si dhe pasiguria e gjeneruar nga vota e britanikëve më 23 Qershor po ngre një mjegull të madhe mbi të ardhmen e biznesit.

Kjo do të thotë se, tregtia e jashtme, dikur motori i ekonomisë gjermane, ka shumë pak gjasa që të injektojë stimuj të rinj në ekonomi. Eksportet u rritën kështu me 0.3 për qind gjatë Qershorit, ndërkohë që në muajin Maj shifrat tregonin një rënie prej 1.8 për qind.

Gjatë së njëjtës periudhë kohore, importet u rritën me 1 për qind, më shumë se dyfishi i pritshmërive. Ekspertët shprehen se, në tremujorin e dytë të vitit, tregtia e jashtme nuk ofroi asnjë stimul ekonomik.

Në këtë mënyrë, suficiti tregtar u ngushtua në 21.7 miliardë euro, nga 22.1 miliardë që ishte në muajin Maj të këtij viti. Gjatë tremujorit të parë të vitit, ekonomia gjermane u rrit me një hap prej 0.7 për qind, ndërkohë që tremujori i dytë me shumë gjasa nuk do të mund të kalojë dot nivelin e 0.3 për qind. Një ditë më parë, Ministria e Ekonomisë raportonte për një rënie të mëtejshme të prodhimit industrial. /Telegrafi/

Exit mobile version