Site icon Telegrafi

Tregtia japoneze me rritje

Shitjet e mëdha të makinave dhe pajisjeve elektronike kanë sjellë rritjen e eksporteve për të 14-in muaj radhazi në Japoni gjatë Janarit.

Megjithatë, treguesi i fundit për ndjesinë e bizneseve ka rënë, duke vënë në dukje shqetësimet nga rritja e jenit dhe ndikimin që do të ketë te rimëkëmbja e vendit e nxitur nga eksportet.

Këto të dhëna mikse paraqesin sfidat që po përballet Banka e Japonisë, ndërkohë që përpiqet të stimulojë ekonominë pas vitesh në stanjacion.

Humori i zymtë te prodhuesit bëri kontradiktë me të dhënat e Ministrisë së Financave, që treguan për një rritje të eksporteve me 12.2 për qind gjatë janarit, duke thyer projeksionet dhe rritjen me 9.3 për qind në dhjetor.

Javën e kaluar, u publikuan edhe të dhënat mbi Produktin e Brendshëm Bruto, që është rritur për 8 tremujorë radhazi në fund të 2017-ës.

Valuta e fortë cenon fitimet e firmave të manifakturës në Japoni dhe mund të përmbysë investimet e bizneseve, shpenzimet konsumatore dhe rritjen ekonomike, që autoritetet janë përpjekur të nxisin.

Ekonomistët mendojnë se kërkesa globale do të vazhdojë të nxisë eksportet e Japonisë, pavarësisht përkeqësimit të perspektivës nga jeni i fortë. Javën e kaluar, dollari arriti në 105.5 jen, që është niveli më i ulët në 15 muaj.

Sipas analistëve, një rritje e qëndrueshme me 5 për qind e jenit, do të ulte eksportet me 0.2 për qind në vitin e parë, 1.1 për qind në të dytin dhe 1.2 për qind pas 3 vitesh. Sipas të dhënave, eksportet drejt Kinës që është partneri kryesor, u rritën me 30.8 për qind në Janar me bazë vjetore, nxitur nga pajisjet elektronike, motorët e makinave dhe automjetet hibride.

Në të gjithë Azinë, dërgesat japoneze u rritën me 16 për qind në Janar. Dërgesat në SHBA u rritën me 1.2 për qind, prej çelikut, baterive dhe barnave, ndërkohë që eksportet e makinave ranë me 3.9 për qind.

Suficiti me Amerikën u ngadalësua në 12.3 për qind, në 3.3 miliardë dollarë. Ndërkohë, balanca e përgjithshme tregtare e Japonisë u regjistrua në një deficit prej 8.87 miliardë dollarë, që është i pari deficit në 8 muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version