Bizneset e sektorit të tregtisë merren me furnizimin dhe shitjen e prodhimeve të gatshme për konsumatorët finalë, për dallim nga bizneset industriale, bizneset tregtare nuk krijojnë kurrfarë prodhimi fizik.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 2912 ndërmarrje, kurse në tremujorin e fundit të vitit të kaluar kanë qenë 1805 sosh, që sipas agjencisë vërehet një rritje për 1107 ndërmarrje.
Sidoqoftë, ky sektor nuk konsiderohet i leverdishëm për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
Alban Zogaj, ekspert për çështje ekonomike, thotë se sektori i tregtisë është më i zhvilluar dhe më i madh, shikuar edhe në aspektin financiar. Në të gjitha vendet në zhvillim, thotë ai, tregtia zhvillohet më shpejt, sepse kërkon më pak kapital dhe njohuri.
“Kështu që, tregtia merr një hov më të madh dhe është më lehtë të zhvillohet dhe të ecë përpara. Përderisa, në anën tjetër, sektori i prodhimit kërkon kapital, e të cilat në Kosovë kanë qenë të shtrenjta viteve të fundit. Me këto norma të interesit, investimi privat ka qenë i pamundshëm. Dhe, në anën tjetër, sektori i prodhimit, normalisht që kërkon njohuri më të madhe, një teknologji më të sofistikuara për të qenë konkurrent në treg, dhe në këtë mënyrë mbetet më i pazhvilluar”, thotë Zogaj për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se Kosova nuk ka politika atraktive për prodhim, kështu që bizneset janë orientuar nga tregtia.
Politikat ekonomike të zbatuara në vend, thotë Shahini, kanë rezultuar që Kosova të importojë rreth 90 për qind të produkteve për konsum ditor apo rreth 90 për qind të buxhetit të eksportit, si para të gatshme.
Këto politika, sipas tij, kanë obliguar që Kosova të jetë e varur nga importi dhe vend atraktiv për tregti.
“Politikat aktuale të shtetit të Kosovës e favorizojnë më shumë tregtinë, shërbimet dhe më pak prodhimin. Kjo ka bërë që Kosova të mos jetë vend atraktiv për prodhim, por që të jetë vend konsumues i produkteve të huaja dhe më pak i prodhimeve vendore. Kjo ka bërë që në Kosovë të mos kemi investitorë të huaj, kurse investitorët vendorë çdo ditë shfaqin pakënaqësitë e veta, dhe të shikojnë mundësi për të gjetur rrugë për të rritur prodhimin e vetë, por jashtë Kosovës”, shprehet Shahini.
Ndryshimi i këtij realiteti kërkon qasje gjithëpërfshirëse ekonomike, politike dhe reforma, në mënyrë që të ndryshohet mjedisi operues dhe përmirësimi i pozitës konkurruese në tregun kosovar dhe rajon, thotë për Radion Evropa e Lirë, Agim Shahini.
“Kosovës i mungon plani strategjik zhvillimor që u jep prioritet sektorëve, që i jep prioritet sektorit të prodhimit. Dhe, për sektorë të veçantë të prodhimit, duhet të krijohen edhe politikat fiskale. Kjo do të ndryshojë rrënjësisht qasjen, bindjen e investitorëve se mirë është të investohet në prodhim, sepse ka privilegje. Dhe më keq është të mbash tregti, sepse trajtohesh si tregtar”, thekson Shahini.
Ndërkaq, Alban Zogaj, konsideron se një nga prioritete kyçe të qeverisë së ardhshme, duhet të jetë përmirësimi i mjedisit biznesor, në mënyrë që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të zhvillohen.
“Mjedisi biznesor është një koncept kompleks dhe përfshin shumë elemente. Prandaj, marrin kohë më të gjatë – këtu e kam fjalën për funksionimin e gjyqësorit, infrastrukturën e përgjithshme, të fortë dhe të butë, për administratën publike, e deri te niveli i resurseve humane në Kosovë”, pohon Zogaj.
Në anën tjetër, të gjitha qeveritë e deritashme kanë premtuar përmirësim në sektorin e prodhimtarisë dhe mundësinë e rritjes së eksportit. Ndërkaq, arsyet e performancës së varfër të sektorit të eksportit i kanë cilësuar të natyrave politike, historike dhe ekonomike. /Telegrafi/