Pothuajse të gjitha dyqanet kanë qenë të hapura, pavarësisht se Kuvendi nuk i ka miratuar ende ndryshimet në ligjin për të dielën, me çka duhet të përjashtohen dyqanet në qendrat turistike.
Dyqanxhinjtë nuk kanë dashur të flasin publikisht, vetëm theksuan se punojnë me përgjegjësinë e tyre dhe shpresojnë që sa më shpejt të mund të punojnë pa problem. LSM-ja thotë se nuk i përkrah ndryshimet.
“Edhe ata punëtorë për të cilët kishim informacione se punojnë të dielave dhe marrin 250% mëditje, deklaruan se nuk duan të punojnë të dielave. Nëse e diela është ditë jo pune, tradicionalisht në çdo vend, edhe punëtorët këtu duan të pushojnë dhe të kenë jetë familjare”, tha Ivan Peshevski- nënkryetar i LSM-së për sektorin privat.
Pronarët e dyqaneve thonë se e kanë mbështetjen e të gjitha partive politike në Kuvend, por pse dhe ku ka ngecur ligji, nuk kanë asnjë informacion, edhe pse kërkesën e kanë dorëzuar më 22 shkurt.
“Nuk japim rroga, nuk japim qira, prandaj kërkojmë nga institucionet shtetërore që të na japin pak shtytje, të na lejojnë të punojmë”, u shpreh Sonja Josifoska- pronare e dyqanit.
E njëjta situatë është edhe në Strugë. Shitësit kërkojnë të punojnë edhe të dielave./Alsat/