Site icon Telegrafi

Tregtarët injorojnë tregun

Tregtarët në komunën e Skenderajt edhe më tutje produktet e tyre po i shesin në rrugë ndonëse në këtë komunë është në funksion tregu, i cili është ndërtuar para pak kohësh. Tregtarët jozyrtarisht thonë se po injorojnë tregun pasi që, sipas tyre, mbrapa tij qëndron vëllai i Sami Lushtakut. Por në anën tjetër pronari i kompanisë, i cili e ka marrë me koncesion nga Komuna, mohon akuzat, shkruan sot, gazeta Zëri.

Ndonëse është në funksion të qytetarëve të Skenderajt dhe të tregtarëve për më shumë se dy vjet Tregu i Gjelbër në Skenderaj, i cili është ndërtuar në truallin që Komuna e Skenderajt e ka dhënë me koncesion për 10+4 vjet, u shërben qytetarëve vetëm ditëve të tregut, të hënave.

Ditëve të tjera tregu i ri, i cili është ndërtuar me standarde të larta dhe ofron kushte shumë të mira për tregtarët dhe për qytetarët, është krejtësisht i zbrazët. Ditëve të mërkura aty është planifikuar të shiten veturat, por shumë prej pronarëve të tyre veturat i shesin jashtë rrethojave të tregut, duke i ikur pagesës e cila është 2 euro. Shumica e tregtarëve të Skenderajt thonë se vetëm zori i detyron ata t’i dërgojnë prodhimet e tyre për t’i shitur në Tregun e Gjelbër, pasi që të hënave inspektorët nuk i lejojnë të shesin në rrugë. Ata mendojnë se tregu i ri, i cili është ndërtuar në truallin e Komunës që është dhënë me koncesion për 10+4 vjet, në fakt është i Ukshin Lushtakut.

“Nuk shkojmë atje sepse atje është Uka, Afrimi veç e mban emrin”, thotë njëri prej shitësve, i cili nuk dëshiron t’i përmendet emri në gazetë. Kështu thonë edhe të tjerë tregtarë, disa nga të cilët madje ankohen se “nuk po i lë rehat Afrimi, pasi që po shkon me polici e po ua konfiskon mallin”. /Zëri/

Exit mobile version