Pak pasi gazetari Jamal Khashoggi u vra muajin e kaluar, një anëtar i ekipit të vrasjes i ka thënë një eprori “thoni shefit tuaj”, që besohet të jetë Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman i Arabisë Saudite, “se operativat kishin kryer misionin e tyre”.
Një deklaratë e tillë, siç shkruan The New York Times, përcjell Telegrafi, ka dalë nga tre persona të njohur me një regjistrim të vrasjes së z. Khashoggi, të mbledhura nga inteligjenca turke.
Regjistrimi, i cili i është dhënë edhe CIA-s, përkatësisht shefes, Gina Haspel, është parë nga zyrtarët e inteligjencës si një nga provat më të forta që lidhin princin Mohammed me vrasjen e z. Khashoggi, një banor i Virxhinias dhe kolumnist i Uashington Postit, vdekja e të cilit nxiti një protestë ndërkombëtare.
Ndërsa princi nuk u përmend me emër, zyrtarët amerikanë të inteligjencës besojnë se “shefi yt” ishte një referencë ndaj princit Mohammed.
Maher Abdulaziz Mutreb, një nga 15 sauditët e dërguar në Stamboll për “t’u përballur” me zotin Khashoggi në Konsullatën Saudite atje, bëri thirrjen telefonike dhe foli në arabisht, thuhet më tej.
Ndërkohë, zyrtarët turq të inteligjencës u kanë thënë zyrtarëve amerikanë se besojnë se z. Mutreb, një oficer i sigurisë që udhëtoi shpesh me princin Mohammed, po fliste me një nga ndihmësit e princit.
Megjithatë, zyrtarët turq kanë thënë se audio nuk e përfshin definitivisht princin Mohammed, dhe inteligjenca amerikane dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë paralajmëruar se megjithatë regjistrimi, ende nuk është dëshmi e pakundërshtueshme për përfshirjen e tij në vdekjen e zotit Khashoggi. /Telegrafi/