Site icon Telegrafi

Tregimi për ‘Tong Po’ – miku i fëmijërisë së Van Damme, me të cilin ndoqën ëndrrën hollivudiane dhe luajtën bashkë në shumë filma

Michel Qissi, Jean-Claude van Damme, Abdel Qissi (Fotomontazh: Screenshot/YouTube)

Tong Po është një emër që e njohin shumë dashamirës të filmave aksion dhe të arteve marciale, mirëpo pakkush e di historinë jetësore të aktorit që e portretizoi atë.

Michel Qissi (emri i vërtetë i të cilit është Mohammed Qissi) lindi më 12 shtator 1962 në Oujda të Marokut, ndërsa në moshën dyvjeçare, familja e tij u transferua në Bruksel të Belgjikës. Ai nisi të ushtronte boks si shtatëvjeçar, ndërsa në moshën 17 vjeçare u bë kampion në boksin amator.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Jean-Claude Van Damme

Njëherësh, ai ushtronte Shotokan Karate, Muay Thai dhe kikboks. Që nga fëmijëria, Qissi u shoqërua me Jean-Claude van Damme dhe u rritën bashkë me dashurinë e njëjtë për filmat aksion dhe artet marciale.

Në vitin 1982, Qissi dhe Van Damme shkuan bashkë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ëndrrën për t’u bërë aktorë të filmave aksion. Në vitin 1984, u përfshinë në filmin “Breakin'”, para se të arrinin marrëveshjen e madhe me Cannon Films (1986) për të luajtur në tre filma.

I pari nga ta ishte hiti i madh, “Bloodsport”, në të cilin Van Damme e luajti rolin kryesor dhe shënoi depërtimin e tij në Hollywood, ndërsa Qissi pati rolin e njërit prej konkurrentëve të turneut, të quajtur Suan Paredes.

Dy miqtë u ribashkuan sërish në vitin 1989 për filmin “Kickboxer”, në të cilin Jean-Claude ishte sërish protagonisti, ndërsa Michel e luajti rolin kryesor negativ, Tong Po, që njëherësh shënon edhe rolit e tij më të madh filmik.

Dyshja luajtën bashkë edhe në filmin “Lionheart” (1991), ku rolin kryesor negativ e pati vëllai i Qissit, Abdel (Attila), ndërsa vet Michel luajti një rol më të vogël (Moustafa), por kreu edhe punën e koreografisë së luftëtarëve në film. Kjo ishte hera e fundit që dy miqtë e fëmijërisë u paraqitën bashkë në ekran.

https://www.youtube.com/watch?v=GwxQp45ONCw

Megjithatë, Michel Qissi (tash 57 vjeçar) e vazhdoi bashkëpunimin me Van Damme duke bërë rolin e trajnerit të luftëtarëve në disa filma duke përfshirë edhe “Cyborg”. Njëherësh, vëllai i tij, Abdel Qissi (59 vjeçar) luajti në një tjetër film me Jean-Claude, “The Quest” (1996).

Qissi e përsëriti rolin e Tong Po në “Kickboxer 2: The Road Back” (ku nuk luajti Van Damme), si dhe luajti në disa filma të tjerë që nuk patën sukses për ta shndërruar atë në një yll të madh, ashtu si miku i tij. /Telegrafi/

Exit mobile version