Telegrafi

Tre vjeçari humb në pyll, gjendet pas tri orësh

Policia njofton se mbrëmë rreth orës 19:50, ka pranuar një telefonatë sipas së cilës në fshatin Rixhevë ,të Klinës ka humbur një fëmijë i moshës 3 vjeçare në pyllin e fshatit.

Fëmija ishte së bashku me prindin e tij i cili ishte duke punuar në arën afër pyllit dhe për një moment ai është zhdukur.

Policia menjëherë iu ka përgjigjur vendit të ngjarjes me të gjitha njësitë e Stacionit të Klinës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e zjarrfikësve, dhe një numër i konsideruar i banorëve të fshatit Rixhevë (rreth 150) nga të cilët ka kërkuar ndihmë Policia, dhe të gjithë së bashku kanë filluar kërkimin e fëmijës së humbur.

Fëmija i humbur është gjetur rreth orës 22:45, ne një rrugë pylli nga fshatarët dhe policia 3-kilometra larg nga vendi ku kishte humbur.

Gjendja e tij ishte e mirë dhe ai është dërguar në QKMF-në Kline për t’u vizituar nga mjeku dhe më pastaj u është dorëzuar familjareve.

Policia falënderon banorët e fshatit Rixhevë për kontributin e dhënë në gjetjen e fëmijës së humbur.