Site icon Telegrafi

Tre vëllezërit Ymeri vdesin nga COVID-19 brenda një muaji

Coronavirusi shkaktuar një tragjedi shumë të rëndë në familjen Ymeri nga Ferizaj, ku tre anëtarë të kësaj familje e kanë humbur betejën me COVID-19.

Tre vëllezërit F.Ymeri, M.Ymeri, dhe B. Ymeri kanë vdekur brenda një muaji, pasi nuk kanë arritur të shërohen pas infektimit nga coronavirusi.

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati që të ndjerit i kishte familjarë.

“Tre vëllezër, kushëri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur. Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt. Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin. Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre. Pushoni të qetë kusho”, ka shkruar Murati.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të shtunën ka raportuar për 9 persona të vdekur dhe 169 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton coronavirusi.

Shifrat e reja të të infektuarve dalin pas testimit të 455 mostrave.

Që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para me coronavirus në Kosovë – e deri më 22 gusht, në Kosovë janë regjistruar 12,337 të infektuar me coronavirus.

Prej tyre, 8,346 pacientë janë shëruar dhe 3,534 raste vazhdojnë të jenë aktive, njofton Telegrafi.

Exit mobile version