Telegrafi

Tre tenderë dëmtojnë “Infrakosin”

Me çmim dyfish më të shtrenjtë sesa ai real është blerë një kamionetë nga “Infrakosi”. Qindra e mijëra euro grante qeveritare ka humbur kjo ndërmarrje publike që menaxhon me infrastrukturën e Hekurudhës së Kosovës, pasi ka bërë keqmenaxhim apo keqpërdorime edhe në dy aktivitete të tjera prokurimi – njëri ka të bëjë me një ekskavator e tjetri me traversa druri, shkruan sot Koha Ditore.

“Infrakos” e ka blerë kamionetën fiks 109.400,00 euro nga kompania kosovare AGS. “Koha Ditore” ka siguruar faturën, që dëshmon çmimin me të cilin e kishte blerë AGS-ja nga përfaqësuesi për Ballkan i “Palfinger Kran”. Kamioneta e tipit “35C15L D” ishte blerë për vetëm 55.860,00 euro.

Dyfishi i çmimit nuk është problemi i vetëm në këtë aktivitet prokurimi. Sipas specifikave të tenderit, kamioneta do të duhej të ishte e re, e prodhuar për të lëvizur nëpër rrugë dhe në binarë, si dhe do të duhej të kishte dy boshte për tërheqje.

Certifikatën e konformitetit e posedon vetëm blerësi i parë. Por atë nuk e posedon “Infrakos”. Kamioneta ka vetëm një bosht për tërheqje, ndryshe nga kërkesat specifike të tenderit. /Telegrafi/