Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri për shkak të përhapjes së virusit të “Nilit Perëndimor”.
Në një postim në rrjetet sociale, ku shpërndau një video sensibilizuese nga shefja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, ministrja këshilloi qytetarët që të qëndrojnë të qetë, por gjithashtu të jenë vigjilentë.
“Rritni ndërgjegjësimin dhe zbatoni masat mbrojtëse. Infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimet e mushkonjave të infektuara. 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje. Vetëm 1% zhvillojnë forma të rënda,” shpjegon Koçiu në mesazhin e saj.
Etet e Nilit Perëndimor janë një sëmundje infektive që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili përhapet kryesisht përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara. Ky virus është një flavivirus dhe është i lidhur me viruse të tjerë si ai i etheve të dengës dhe etheve të verdha.
Simptomat:
80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma fare.
20% e rasteve shfaqin simptoma të lehta deri mesatare, të ngjashme me gripin, si:
Ethe
Dhimbje koke
Lodhje
Dhimbje trupi
Dhimbje të kyçeve
Vjellje
Dhimbje në sy
Rrash (skuqje e lëkurës)
Rreth 1% e rasteve zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, që mund të përfshijnë:
Encefalit (inflamacion i trurit)
Meningjit (inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore)
Paralizë
Disa raste mund të jenë fatale, sidomos tek personat e moshuar apo ata me sistem imunitar të dobësuar.
Parandalimi i sëmundjes përfshin shmangien e pickimeve nga mushkonjat përmes përdorimit të repelentëve, mbajtjes së rrobave mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku mushkonjat mund të shumohen (ujëra të ndenjur).
Ethet e Nilit Perëndimor janë të zakonshme në rajone të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut./Telegrafi/