Tre persona kanë humbur jetën dhe një person është lënduar kur një aeroplan i vogël është rrëzuar në një fushë golfi në North Myrtle Beach, Karolina e Jugut të dielën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, përplasja ndodhi rreth orës 11:20 në Barefoot Resort and Golf Club.
Dhe siç thuhet më tej, bëhet fjalë për një Piper PA-32 me një motor me katër persona në bord, tha në një deklaratë Administrata Federale e Aviacionit.
Fotot dhe videot e postuara në internet treguan tym që dilte nga fusha e golfit pranë zonës.
Oficeri Pat Wilkinson ka thënë se një telefonatë 911 erdhi rreth orës 11:18 të mëngjesit dhe ekipet e zjarrit dhe policia në North Myrtle Beach shkuan në vendngjarje.
Pas mbërritjes, ata panë aeroplanin e vogël të përfshirë nga flakët dhe Wilkinson tha se ekuipazhet filluan menjëherë të punojnë për shuarjen e zjarrit.
Ai shtoi se të paktën një person u shpall i vdekur në vendngjarje dhe një tjetër u dërgua në një spital lokal.
Duke përshkruar rrëzimin e aeroplanit, një burrë tregoi se si ai dhe gruaja e tij e panë aeroplanin duke rënë, ndërsa ata u ndaluan në një semafor komunikacioni. /Telegrafi/