Site icon Telegrafi

Tre të mitur te Trauma, arrestohet babai i 14-vjeçarit që shkaktoi aksidentin në Sarandë

Policia ka vënë në pranga babain e 14-vjeçarit i cili shkaktoi aksidentin me tre të plagosur në Sarandë.

41-vjeçari i dha automjetin tip “Benz” djalit të tij i cili u përfshi në aksident rrugor. Tre të miturit ndodhen në Spitalin e Traumës njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

“Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në afërsi të fshatit Bajkaj, si pasojë e të cilit u dëmtuan 3 shtetas të mitur (drejtuesi i automjetit dhe 2 pasagjerët, të cilët vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve), policia bën me dije se:

Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, specialistët e Qarkullimit Rrugor të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin Orest Kalo, 41 vjeç, banues në Delvinë, pasi i ka dhënë për ta drejtuar, djalit të tij të mitur, 14 vjeç, automjetin që u përfshi në këtë aksident rrugor.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin e mitur, drejtues të automjetit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /Telegrafi/

Exit mobile version