Telegrafi

Tre të akuzuarve, u vërtetohen dënimet me burgim dhe konfiskimi i pasurisë me vlerë afro 1.5 milion eurove

Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara më 25.10.2016 ankesat e Prokurorisë Speciale Kosovës dhe avokatëve mbrojtës të akuzuarve A.A., I.R. dhe A. Xh.

Ndërkaq është vërtetuar Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 10.05.2016.

“Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari A.A. është gjetur fajtor për veprat penale: Mundësim i prostitucionit dhe Shpëlarje e parave në bashkëkryerje, për çka është dënuar 6 vjet burgim dhe 50 mijë euro gjobë. Për të njëjtat vepra janë gjetur fajtor edhe dy të akuzuarit tjerë I.R. dhe A .Xh., të cilët janë dënuar, secili me nga tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe 20 mijë euro gjobë.

Në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, të akuzuarve po ashtu u është konfiskuar përhershëm, pasuria e cila është vërtetuar se është fituar në mënyrë te kundërligjshme, e që kap një vlerë afro 1.5 milion eurove”,thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit./Telegrafi/