Telegrafi

Tre stacione televizive në Turqi u gjobitën për kritikat ndaj qeverisë së Erdoganit në lidhje me tërmetin

Këshilli i Lartë për Komunikimin Audiovizual në Turqi, sanksionoi sot tre rrjete televizive që kritikuan qeverinë për menaxhimin e pasojave të tërmetit që goditi jugun e vendit më 6 shkurt.

Rrjetet Halk TV, Tele 1 dhe Fox TV, u gjobitën dhe u është ndaluar përkohësisht transmetimi për “informacion dhe komente për tërmetin”, ka shkruar Ilhan Tasci në Twitter, anëtar i RTUK-së nga opozita.

Halk TV dhe Tele 1 u dënuan me gjobë prej pesë për qind të fitimit të tyre në janar dhe me pesë ditë ndalim të transmetimit të programit ditor. Halk TV dhe Fox TV, u gjobitën gjithashtu me tre për qind të fitimit të tyre në janar, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Më shumë se 7,200 “pasgoditje” janë regjistruar në Turqi që nga tërmeti shkatërrues që ndodhi më 6 shkurt

Të tre rrjetet njihen për kritikat e tyre ndaj qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Halk TV veçanërisht ka afërsi me partinë kryesore opozitare CHP.

Opozita dhe media e pavarur kritikojnë ashpër qeverinë turke, për mungesën dhe reagimin e dobët në ditët e para pas tërmetit 7.8 magnitudë.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan pranoi javën e kaluar “dështimet” në organizimin e ndihmës, duke përmendur forcën e tërmetit si justifikim. /Telegrafi/