Këshilli i Lartë për Komunikimin Audiovizual në Turqi, sanksionoi sot tre rrjete televizive që kritikuan qeverinë për menaxhimin e pasojave të tërmetit që goditi jugun e vendit më 6 shkurt.
Rrjetet Halk TV, Tele 1 dhe Fox TV, u gjobitën dhe u është ndaluar përkohësisht transmetimi për “informacion dhe komente për tërmetin”, ka shkruar Ilhan Tasci në Twitter, anëtar i RTUK-së nga opozita.
Halk TV dhe Tele 1 u dënuan me gjobë prej pesë për qind të fitimit të tyre në janar dhe me pesë ditë ndalim të transmetimit të programit ditor. Halk TV dhe Fox TV, u gjobitën gjithashtu me tre për qind të fitimit të tyre në janar, transmeton Telegrafi.
Të tre rrjetet njihen për kritikat e tyre ndaj qeverisë së presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Halk TV veçanërisht ka afërsi me partinë kryesore opozitare CHP.
Opozita dhe media e pavarur kritikojnë ashpër qeverinë turke, për mungesën dhe reagimin e dobët në ditët e para pas tërmetit 7.8 magnitudë.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan pranoi javën e kaluar “dështimet” në organizimin e ndihmës, duke përmendur forcën e tërmetit si justifikim. /Telegrafi/