Carolyn R. Bertozzi, Morten Meldal dhe K. Barry Sharpless kanë fituar çmimin Nobel në kimi, për punën që ka prodhuar “një mjet gjenial për ndërtimin e molekulave”.
Treshja fitoi çmimin për themelimin dhe avancimin e fushave të kimisë së ‘klikimeve’ dhe kimisë bioortogonale, e cila “ka çuar në një revolucion në mënyrën se si kimistët mendojnë për lidhjen e molekulave së bashku”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, transmeton Telegrafi.
Kimia e ‘klikimit’ mundëson reagime të shpejta dhe të drejtpërdrejta, ku “blloqet e ndërtimit molekular këputen së bashku shpejt”, tha komiteti. Parimi mund të sjellë përfitime të botës reale në zhvillimin e farmaceutikëve.
Çmimet Nobel po ndahen gjatë kësaj jave derisa të hënën dhe të martën u shpallën çmimet për mjekësi dhe fizikë. /Telegrafi/