Site icon Telegrafi

Tre serbë rrahën një mjek dhe një infermiere në Berlin

Skena të pabesueshme kanë ndodhur në klinikën Sana në një lagje në Berlin.

Në pamjet e publikuara shihet një serb 25-vjeçar dhe dy vëllezërit e tij duke goditur një infermiere (32) dhe duke rrahur një mjek (42) në tokë, raporton BILD.

Edhe disa ditë pas sulmit në natën e ndërrimit të viteve, pasojat janë ende të rënda. Infermierja dhe mjeku janë ende të paaftë për të punuar dhe janë në pushim mjekësor.

Infermierja pësoi lëndime në kokë ndërsa mjeku pësoi lëndime në fytyrë. Fakti që situata nuk u përshkallëzua më tej, ndoshta vjen nga familjarët e një tjetri pacient, të cilët kanë ndërhyrë.

Tashmë dihen detajet e ngjarjes, raporton N1.

Thuhet se sulmuesit në qendrën e urgjencës kanë vepruar në mënyrë agresive pasi kanë pritur për ca kohë, kjo ka bërë që burrat e dehur të zemërohen. Sipas informacioneve të BILD, burrat e zemëruar bërtisnin, “do të vrasim familjet tuaja” dhe “do t’ju therim”.

Arsyeja e përshkallëzimit – dy vëllezërit nuk kanë mbetur të kënaqur me trajtimin e 25-vjeçarit, i cili kishte një plagë në dorë.

Sipas informacioneve të policisë, i riu ka pasur një plagë në dorë dhe ishte sjellë me autoambulancë rreth orës 12:45. Nuk dihet sa kohë ka kaluar mes arritjes në spital dhe sulmit.

Në video shfaqen burrat duke ngacmuar stafin dhe pason debati. Papritur, infermierja fillon të goditet.

Ajo përplaset me murin e dhomës dhe mbetet pa ndjenja. Më pas mjeku është sulmuar dhe ka pësuar lëndime të lehta në kokë. Sulmuesit kërcënojnë edhe punonjësit e tjerë të spitalit, të cilët po përpiqen të qetësojnë situatën deri në arritjen e policisë.

Oficerët e policisë arrestuan përkohësisht treshen në gjendje të dehur. Gjatë hetimeve u gjet edhe lëndë narkotike. Të gjithë u morën në paraburgim.

Policia po heton serbët për sulm ndaj punonjësve të rendit, pengim të personave në dhënien e ndihmës, kanosje dhe lëndim të rëndë trupor. /Telegrafi/

Exit mobile version