Punonjës të një shtëpie të moshuarish në Ticino të Zvicrës, dyshohen se kanë shkelur ligjin e epidemisë, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, SDA.
Pas vdekjeve të shumta nga coronavirusi në shtëpinë e të moshuarve në Sementina TI në pranverë, prokurori publik i Ticinos ka nisur procedimet penale. Tre persona akuzohen për vrasje nga pakujdesia dhe shkelje të Aktit të Epidemive – përfshirë drejtorin e përgjithshëm dhe drejtorin mjekësor.
Prokurori publik i Ticino dhe komuna Bellinzona e kanë bërë të njohur këtë lajm të martën në mbrëmje. Të akuzuarit tashmë janë marrë në pyetje. Ata akuzohen, ndër të tjera, se kanë shkelur detyrimet e tyre zyrtare. Të gjithë ata kanë punuar në shtëpinë e prekur në Sementina. Ndërkaq komuna e Bellinzonës shkruan për katër punonjës të prekur.
Prokurori publik ka hapur procedimet pasi ka shqyrtuar dokumentet e përpiluara nga shërbimi mjekësor kantonal, përcjell albinfo.ch. Hetimi drejtohet nga Prokurori i Përgjithshëm Andrea Pagani dhe Prokurorja Pamela Pedretti. Prezumimi i pafajësisë vlen për të gjithë të akuzuarit.
Sipas raporteve të medias, mbi njëzet banorë kanë vdekur nga Covid-19 në shtëpinë në fjalë midis marsit dhe majit 2020. /AlbInfo/