Telegrafi

Tre nxënës theren me thikë në lagjen Emshir në Prishtinë

Policia e Kosovës njofton se pas tre persona janë therur me thikë sot në lagjen Emshir.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në një shkollë pas një përleshje fizike mes disa personave.

“Sot rreth orës 16:00, policia ka marrë informacionin se në lagjen Emshir në Prishtinë, saktësisht në një shkollë, ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga hetuesit e stacionit policor të Jugu si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Në këtë rast janë lënduar tre persona : A. A, mashkull , 16 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, Sh. B, mashkull , 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe Sh. A, mashkull , 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët kanë marrë plagë nga arma e ftohët (thikë) dhe të njëjtit menjëherë janë dërguar në për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë në kuadër të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

“Si rezultat i kësaj policia ka arritur të identifikoj tre persona të dyshuar dhe është në kërkim të tyre”, thuhet në njoftim./Telegrafi/