Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit (korrik – shtator 2024) të subjekteve politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Këto raporte përfshijnë shpenzimet e ndryshme, si ato për blerje të mallrave, shpenzime logjistike, për marketing, qira e shpenzime të tjera.
Sipas raporteve bëhet e ditur që më së shumti gjatë kësaj kohe ka shpenzuar Lëvizja Vetëvendosje (LVV), gjithsej 351 mijë e 708 euro.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpenzuar përgjysmë më pak gjatë kësaj periudhe se sa partia në pushtet, me gjithsej 160 mijë e 137 euro.
Ndërkaq, pak më pak ka shpenzuar në këtë kohë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Shuma që ky subjekt ka shpenzuar arrin shifrën e 147 mijë e 841 eurove.
E, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas raportit tremujor financiar që ia ka dërguar KQZ-së, gjatë periudhës korrik-shtator ka shpenzuar 80 mijë e 944 euro.
“Lëvizja Vetëvendosje (LVV) 351.708.80 euro, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 160.137.65 euro, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 147.841.20 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 80.944.96 euro”, janë shpenzimet e katër partive politike. /Telegrafi/